Në gusht marrin shërbim 60 pacientë, do t’i rimbursohet edhe transporti
Lorina Mixha
Brenda pak kohësh, rreth 60 pacientë të sëmurë me veshka do të marrin trajtim dialize në spital privat. Strukturat shëndetësore, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë kanë rënë dakord që të nënshkruajnë një kontratë tre vjeçare me spitalin privat “Hygeia”, për sigurimin e 60 shtretërve të dializës.
Bashkë me shërbimin shëndetësor, spitali, sipas kontratës, duhet të paguajë edhe transportin e pacientëve. Lista e të sëmurëve që do të bëjnë dializën në spitalin privat do të vendoset nga një komision i posaçëm në QSUT. Kjo strukturë bën vlerësimin dhe më pas, në bazë të moshës, gjendjes së të sëmurëve, vendosin prioritetet për ata që do të trajtohen në dializën e shtetit dhe në privat. Shërbim dialize ka spitali i Durrësit, i Shkodrës, i Elbasanit, i Gjirokastrës, i Korçës. Por për rreth 50 shtretër dialize është kontraktuar nga shteti me një afat 3+4 vjet edhe Spitali Amerikan, i cili pritet të rehabilitojë kontratën e konçensionit në qytetin e Fierit.
Kështu, sipas kontratës, pacientët e privatit marrin të njëjtin shërbim në privat, por pa paguar kosto shtesë. Dhënia e dializës me konçension është folur katër vjet më parë, kur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ishte Nard Ndoka. Ish-ministri deklaroi se, për të përmirësuar gjendjen dhe shërbimin shëndetësor, duhet parë si prioritet dhënia e disa shërbimeve spitalore me konçension. Janë mbi 500 pacientë, të cilët aktualisht marrin shërbim dialize, por kërkesat janë edhe më të larta. Për shkak të mungesës së infrastrukturës, por edhe kostove, autoritetet shëndetësore mendojnë se dhënia e shërbimit me koncençion ndihmon përmirësimin e shërbimit. Mbi 122 pacientë marrin shërbimin e dializës në Tiranë dhe pjesa tjetër në Shkodër, në Elbasan, në Gjirokastër, në Durrës, në Fier.
Nisur nga studimet e kryera, 50–60 persona për një milion banorë në vit, humbasin plotësisht funksionin e veshkës, rreth 175 raste të reja në vit kanë nevojë të trajtohen nëpërmjet dializës.