Një sherr i rëndë, i cili ka përfunduar me plagosjen e dy personave ka ndodhur në Sarandë.

Raportohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Baba Rexhep”, teksa të plagosurit janë Enea Qorrit dhe Arnest Gjonçaj. Ky i fundit, së bashku me 2 persona të tjerë, kanë shkuar në banesën e shtetasit B.Q, ku kanë dhunuar Qorrin duke e plagosur rëndë. Ai është nisur me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Ndërkohë, Gjoncaj, i plagosur lehtë, është arrestuar së bashku me një nga bashkëpunëtorët e tij. Personi i tretë i përfshirë në sherr është shpallur në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Për motive të dobëta, dëmtuan me sende të forta dhe me mjet prerës, 2 shtetas, arrestohen 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1. Menjëherë pas njoftimit të marrë në orët e para të mëngjesit të sotëm, për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në lagjen “Baba Rexhep”, Sarandë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u arrestuan shtetasit M. H., 24 vjeç dhe Xh. S., 27 vjeç, si dhe u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. Gj. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit A. Gj., M. H. dhe Xh. S. kanë shkuar në banesën e shtetasit B. Q., ku për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta (shkopinj) dhe me mjet prerës, shtetasit E. Q., B. Q. dhe A. Q.. Si pasojë janë dëmtuar shtetasit E. Q dhe A. Gj., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Punohet për kapjen e shtetasit F. Gj., si dhe në drejtimin e Prokurorisë, punohet për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.