Një konflikt i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier ka përfunduar me plagosjen e dy shtetasve, ndërsa policia ka shpallur në kërkim një 36-vjeçar me precedent penal.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 23:00, Salla e Komandimit e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier është njoftuar se në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore dy persona njëri i dëmtuar në kokë me sende të forta, dhe tjetri i plagosur me mjet prerës.

Nga veprimet paraprake të grupit hetimor rezultoi se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes disa personave.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kanë bërë të mundur identifikimin e njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasit 36 vjeç, banues në fshatin Vadhizë, i cili është shpallur në kërkim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.