Durrës 


Përplasje mes të rinjsh narkomanë në Durrës, frikë dhe pasiguri mes nxënësve të një shkolle 9-vjeçare. Dy të rinj kanë mbetur të plagosur teksa janë përfshirë në një konflikt për borxhe të pashlyera. Ngjarja ka ndodhur në hyrjen e një pallati pranë shkollës publike “Bedrie Bebeziqi” dhe në afërsi të vendit të njohur si “Danubi”. Nga hetimet mbi ngjarjen rezulton se të përfshirë në konflikt janë tre persona, të cilët njihen nga policia si përdorues të drogave të forta, kryesisht heroinë. Njëri prej tyre është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa dy të tjerët kanë përfunduar në spitalin e Durrësit. Të plagosurit janë Amarildo Cekini, 22 vjeç, banor i lagjes nr. 4, si dhe Donald Verdha, 22 vjeç, banor i lagjes nr. 12. Ndërsa Cekini deklarohet i plagosur me mjet të mprehtë, Verdha është plagosur me armë zjarri të tipit pistoletë. Verdha i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe të dy mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Sherri mes tre personave të njohur mes tyre, ka nisur për shkak të disa parave të pashlyera nga ana e Cekinit, gjë që ka irrituar Verdhën dhe shokun e tij. Verdha ka dashur ta gjymtojë, duke i prerë njërin nga veshët, ndërkohë që i plagosur nga goditja, Cekini mësohet të ketë qëlluar mbi 23-vjeçarin Verdha me pistoletë. Ende nuk bëhet e ditur se cili prej të rinjve ka pasur në zotërim armën e zjarrit, e cila pas sherrit është marrë nga personi i tretë që është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim nga policia. Dy të plagosurit, gjatë deklarimeve, kanë tentuar të mos pranojnë pronësinë mbi armën e zjarrit. Të dy kanë pohuar se arma i përket tjetrit. Ndërkohë, në dhjetorin e vitit të kaluar, Verdha është përfshirë në një tjetër plagosje të ndodhur në afërsi të pallatit të sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit. I njëjti person në vitin 2010 është plagosur rëndë, ndërsa ishte shpallur në kërkim nga blutë e Tiranës për një plagosje të ndodhur pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Me gjithë skedën e ngarkuar kriminale ky person vijon të prodhojë dhe të përfshihet në vepra penale të ndodhura në ambiente publike e mjaft të frekuentuara. V.Q.