Një sherr midis të miturve ka përfunduar në plagosjen e 4 personave në Greqi. Konflikti është regjistruar të dielën në mbrëmje në zonën e Varkizës.

Dy grupe të miturish u përleshën me njëri-tjetrin në Bulevardin Poseidonos ku një 17-vjeçar dhe një 16-vjeçar u plagosën rëndë me thikë. Dy persona të tjerë, një 19-vjeçar dhe një 16-vjeçar u plagosën lehtë.

Lidhur me incidentin u arrestuan gjithsej 8 persona. 4 të plagosurit, si dhe dy 17-vjeçarë, një 18-vjeçar shqiptar dhe një 20-vjeçar dyshohet se morën pjesë në sherr. Ndaj të arrestuarve u ngrit një padi për shkaktim të dëmtimeve të rrezikshme trupore dhe për shkelje të ligjit për armët.