Disa ditë më parë, 34-vjeçari Eglant Koçi është zhdukur pa lënë gjurmë në kryeqytet, ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas burimeve hetimore, ekziston edhe mundësia që ai të jetë ekzekutuar nga Armand Shakaj, i cili aktualisht është shpallur në kërkim, megjithatë autoritetet nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar zyrtar.
E ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, ka dhënë detaje të reja mbi ecurinë e hetimeve, duke theksuar se policia po shqyrton të gjitha pistat e mundshme, përfshirë edhe atë të një krimi pasioni.
“Nuk më duket për shkak të së shkuarës së autorit të dyshuar të ngjarjes, nga ana tjetër për shkak të veprimeve që ai kreu pas krimit. Këtu skenarët janë të frikshëm, deri në zhdukjen e kufomës. Autori i dyshuar është në arrati. Është ndjekur me shumë prioritet dhe pikërisht veprimet e shpejta çuan që 5 ditë më vonë të kishim një përgjigje në lidhje me fatin e Eglantit. Kamarieri 25-vjeçar, me aq informacion sa kam, nuk ishte në dijeni për Eglantin, por vetëm mori përsipër një detyrë që i dha eprori i tij”, u shpreh Bezat.
Ajo shtoi se edhe e dashura e Eglantit, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është marrë në pyetje nga policia në distancë.
“E dashura e Eglantit jeton në SHBA. Është pyetur në distancë nga uniformat blu dhe ka treguar marrëdhënien që ka me 34-vjeçarin. Ajo u shpreh se një ditë normale ai nuk e telefonoi siç bënte gjithmonë, dhe kjo e bëri alarmante”, tha gazetarja.
Sipas saj, hetimet po marrin në konsideratë disa pista, përfshirë një vrasje të kryer nën emocione të forta.
“Duket një vrasje nën emocione të forta dhe kjo është një nga pistat. Paratë gjurmohen. Përveç së shkuarës, ku Eglanti merrej me kriptomonedha dhe Armandi me fajde, policia po i shqyrton të gjitha pistat”, shtoi Bezat.
