Zbardhet dëshmia e Kristjan Sterjos, autorit të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Sterjo, i cili u kap pas rreth 6 orësh arrati, ka dhënë versionin e tij përpara grupit hetimor lidhur me konfliktin dhe motivin që dyshohet se çoi në ngjarjen e rëndë.
Sipas dëshmisë së tij, përplasja mes dy të rinjve nuk ka nisur ditën e krimit, por lidhej me disa episode të mëparshme. Një prej shkaqeve që dyshohet se ka ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit ka qenë ngacmimi i të dashurës së autorit të dyshuar.
Megjithatë, hetuesit po marrin në konsideratë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve. Dyshohet se ata kishin pasur debate dhe konflikte verbale disa ditë para vrasjes, ndërsa përplasjet lidhen edhe me pretendimet se kush konsiderohej “më i forti” i lagjes.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, mes dy të rinjve kishte pasur ngacmime, sharje dhe konflikte të vazhdueshme, duke bërë që situata të përshkallëzohej gradualisht.
Në ditën e ngjarjes, sipas dëshmisë së autorit të dyshuar, ai ka marrë armën dhe është vënë në ndjekje të 20-vjeçarit Johan Zuko. Më pas, e ka qëlluar me një plumb pas shpine, plagë e cila rezultoi fatale.
Pas ngjarjes, Kristjan Sterjo është larguar nga vendi i krimit dhe ka mundur t’i shmanget policisë për rreth 6 orë. Sipas informacioneve nga hetimi, ai dyshohet se fillimisht është fshehur në një zonë pranë varrezave të qytetit të Korçës, por më pas është larguar prej aty dhe është afruar drejt banesës së tij.
Ka qenë pikërisht në këtë moment që forcat e policisë kanë mundur ta lokalizojnë dhe ta kapin.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, ndërsa dëshmia e Sterjos dhe provat e mbledhura pritet të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave dhe motivit të saktë që çoi në vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko.
