Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në një lokal në rrugën “Sami Frashri”, ku një person u qëllua me armë dhe u dërgua në një spital privat në Tiranë pas ngjarjes. 7 persona kanë qenë të ulur së bashku në një tavolinë brenda restorantit, ku dy prej tyre pasi debatuan, kanë goditur njëri-tjetrin.
Raportohet se njëri prej tyre i ka dhënë dorën të gjithë personave në tavolinë, ndërsa personi tjetër ka refuzuar duke e ofenduar. Më pas sherri ka degraduar në konflikt fizik dhe me karrige, e më pas është përdorur arma. Personat e përfshirë më pas janë larguar me 4 makina me shpejtësi të gjithë nga vendi i ngjarjes për t’i shpëtuar policisë.
Sapo ka mbërritur, policia ka konstatuar një gëzhojë dhe njollat e gjakut brenda ambientit të restorantit ku ndodhi konflikti, po ashtu ka sekuestruar edhe armën e zjarrit tip pistoletë e cila ishte lënë brenda në restorant nga autori, pasi dyshohet që gjatë përleshjes fizike i ka rënë në tokë.
Arma është dërguar ne laborator për t’u bërë ekspertiza për të zbuluar ADN dhe shenjat e gishtave. Ndërkohë nga të shtënat me armë është plagosur një person, i cili dyshohet se u transportua në një spital privat. Ndërsa, sipas informacioneve paraprake mësohet se përplasja mes tyre ka ndodhur për paratë me fajde.
Deri më tani, nuk ka asnjë informacion rreth identitetit dhe moshës së të plagosurit, apo të personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje. Edhe pse kanë kaluar 12 orë nga ngjarja Policia ende nuk ka sjellë një njoftim zyrtar.



