Një incident është shënuar këtë të shtunë në qendrën e votimit nr. 3901, pranë shkollës “Esat Minarolli” në Pogradec, gjatë procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ngjarja nisi pas një mosdakordësie mes komisionerëve për mënyrën e shoqërimit të një votuesi të verbër. Sipas burimeve nga KZAZ-ja përkatëse, një person i paautorizuar tentoi të ndihmonte votuesin me aftësi të kufizuara, duke shkaktuar tension dhe debat në ambientet e qendrës së votimit.
Personi i përfshirë në incident është shoqëruar nga policia dhe pritet të sqarohen rrethanat e ngjarjes. Sipas nënkryetarit të KZAZ 70, votimi është ndërprerë për disa minuta, por tashmë po vijon normalisht.
“KZAZ jonë ka një njoftim që në qendrën e votimit 3901 pranë shkollës Esat Minarolli në Pogradec është regjistruar një incident. Zanafilla ka qenë mosdakordësia e komisionerëve në shoqërimin e një personi tjetër i paautorizuar i cili ishte i verbër dhe nuk mund të votonte dot.
Në këtë moment kishte nisur ky konflikt, personi që shkaktoi incidentin është shoqëruar në polici, pritet të zbulohen rrethanat e ngjarjes. Votimi po vijon normalisht, ka pasur vetëm një ndërprerje disa minutësh pas ngjarjes.
Personat që janë të paaftë për të votuar duhet të kenë një mjet identifikimi që tregon për problemin që kanë, njëkohësisht duhet të kenë me vete një certifikatë familjare në të cilën të jetë personi që do ta ndihmojë gjatë procesit të votimit”, tha nënkryetari i KZAZ 70-Armand Agolli, deklaratë mbi rastin.
