Është zhvilluar sot seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 8 autorëve të dyshuar të plagosjes me sende të forta dhe tentativës së vrasjes me armë zjarri të Enea dhe Albion Nexhipit, në 2 janar në Sarandë.

Efektivët e policisë Alvaro, Inklid, Mihal dhe Ergis Sulejmani si dhe Kejvis Sulejmani, Shemsho Sulejmani, Kristjan Xhaferi e Delars Duka janë sjellë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie të shoqëruar nga forcat “Shqiponja” të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe një furgon i FNSH.

Pasi ka individualizuar akuzat për secilin nga të dyshuarit, akuza më e rëndë prej të cilëve ka qenë për efektivin Alvaro Sulejmani, Prokurorja Silvana Belishta ka kërkuar vleftësimin e ligjshëm të ndalimin dhe caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për këtë të fundit dhe vëllain e tij Inklid Sulejmani dhe “detyrim paraqitje” për gjithë të tjerët.

Akuzat ndaj tyre, secili sipas përgjegjësisë personale, ishin “plagosje e lehtë me dashje”, “kanosje”, “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “shkatërrim i pronës” e “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Për veprën e fundit Prokuroria akuzon vetëm efektivin e policisë Alvaro Sulejmani, 36 vjec me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë.

Pas mbrojtjes nga avokatët, Gjyqtari Mexhit Doçi ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë, vleftësimin të ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për Alvaro e Ilkid Sulejmani dhe “detyrim paraqitje” për 6 të dyshuarit e tjerë, mes të cilëve një efektiv policie dhe një student i Akademisë së Policisë.

Në kërkim për ngjarjen vazhdojnë të jenë dy persona të tjerë, mes të cilëve një ish-efektiv i Komisariatit të Policisë Sarandë.