Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një konflikt ka shpërthyer në fshatin Gjashtë të Sarandës, mes disa personave që dyshohet të kenë pasur motive të dobëta. Konflikti ka nisur me një debat dhe ka degraduar në përdorimin e sendeve të forta, duke përfshirë edhe disa punonjës policie jashtë shërbimit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:35 të mëngjesit dhe ka lënë të dëmtuar vëllezërit Enea dhe Albi Nexhipi, të cilët pas ndihmës mjekësore janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme.

Në vendngjarje, policia ka gjetur gëzhoja armësh pistoletë, duke ngritur dyshime se konflikti ka përfshirë edhe të shtëna me armë zjarri. Po ashtu janë identifikuar disa automjete të dëmtuara, që dyshohet t’i përkisnin palëve të përfshira në ngjarje.

Sipas hetimeve të para, sherri dyshohet të ketë lindur për një borxh dhe më pas ka degjeneruar në përdorimin e armëve dhe sendeve të forta. Deri tani, janë identifikuar 12 persona të përfshirë, përfshirë 4 efektivë policie, të gjithë me mbiemrin Sulejmani, tre prej të cilëve vëllezër.

Policia ka nisur kontrolle për të shoqëruar të dyshuarit dhe po shqyrton kamerat për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë. Agjensia e Mbikëqyrjes Policore po merr pjesë gjithashtu në hetime për të zbardhur rolin dhe përgjegjësitë e punonjësve të policisë në këtë incident.