Detaje të reja kanë dalë në dritë nga konflikti që ndodhi një ditë më parë mes adoleshentëve në Kamëz.
Policia ka njoftuar se janë arrestuar dy të miturit që goditën me thikë dhe me grushte tre të mitur të tjerë. Shkak i konfliktit ka qenë për motive të dobëta. “Pse më sheh”, dyshohet të ketë qenë arsyeja e sherrit.
Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I lënduari i 3-të, është larguar në banesë, pasi është jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Zbardhen rrethanat e konfliktit për motive të dobëta, të ndodhur dje, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, ndërmjet pesë 16-vjeçarëve.
Arrestohen 2 të miturit që dëmtuan me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit e tjerë.
Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve.
Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta.
Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta.
Punohet për gjetjen e mjetit prerës të përdorur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.