Tronditje pas tronditje në gjimnazin Ibrahim Rugova në Kamëz. Ditën e djeshme një nxënëse e vetëvrarë me pretendimin e bullizimit në shkollë sipas bashkëmoshatarëve la mësimin dhe u hodh nga kati i 9 i një pallati. Dhe këtë të enjte gjatë pushimit të gjatë, një grup të rinjsh u konfliktuan me thika.

Në bulevardin “Nënë Tereza”, dy hapa larg shkollës gjatë orarit të një dite mësimi, nxënësit u përfshinë në një konflikt me mjete prerëse, ku si pasojë u lënduan tre djem, dy prej tyre të plagosur në brinjë dhe kraharor. Por policia mohon që dy ngjarjet të kenë lidhje me njëra tjetrën.

Numri i nxënësve aktivë në zënkë vështirë të identifikohen, pasi një pjesë e madhe kanë vëzhguar, pa ndërhyrë për parandilimin e goditjes.

“Unë po haja kur ata grushtoheshin me njëri tjetrin dhe nxorrën thikat. Nuk ndërhyva se pse të rrezikoja?”– u shpreh një nga nxënësit.

Top Channel ndoqi nga afër ngjarjen, ku pa prindër të shqetësuar, të mitur të frikësuar, por edhe adoleshentë që e vlerësojnë normalitet këtë situatë.

“E pashë në tv dhe erdha me vrap. Tmerr çfarë bëhet! Shumë i shqetësuar”-thotë një prind.

“Këta rrinë me thika, zihen çdo ditë për kot: jo pse më pe, jo për goca..”– thotë një nxënëse.

“Drejtoresha nuk është këtu se e thirrën në ministri”-deklaroi roja.

“Unë isha në mësim. Por shqetësohem edhe si prind!”- tha një mësues./ Top Channel