Një sherr mes të rinjve ka ndodhur në një lagje të Shkodrës, ku disa persona, mes tyre edhe të mitur, janë përfshirë në një përplasje fizike për motive të parëndësishme. Si pasojë, dy 17-vjeçarë kanë mbetur me lëndime të lehta, ndërsa dy të rinj janë arrestuar. Ndërkohë, gjatë kontrolleve të kryera, një i mitur u kap me një sasi kanabisi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasit K. Th., 24 vjeç, dhe D. K., 19 vjeç, dhe filluan procedimin penal për pesë shtetas të mitur (4 prej tyre 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar).
Këta shtetas, në rrugë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe si pasojë, kanë pësuar dëmtime të lehta dy shtetas të mitur 17-vjeçarë. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin e mitur 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
