Dy persona janë arrestuar në Shkodër, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pas një konflikti me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e 25 qershorit në lagjen “Tre Heronjtë”. Sipas Policisë, në pranga kanë Ndoc Lufi, 63 vjeç dhe Aleksander Fojleta, 27 vjeç, të dy banues në të njëjtën lagje. Mësohet se dy fqinjët janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë zjarri për të kërcënuar njëri-tjetrin. Si pasojë e të shtënave fatmirësisht nuk u lëndua askush, por janë dëmtuar porta e oborrit të banesës së 63-vjeçarit, si dhe një automjet i parkuar brenda oborrit.

Efektivët gjetën në banesën e Ndoc Lufit një armë zjarri kallashnikov, që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit. Ndërkohë, në banesën e peronit tjetër u sekuestruan municion luftarak dhe katër kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol. Policia shpalli në kërkim një 26 vjeçar i cili dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk e ka kallëzuar ngjarjen.

Njoftimi i Policisë:

Shkodër/ U konfliktuan për motive të dobëta dhe qëlluan me armë zjarri, për të kanosur njëri-tjetrin, vihen në pranga 2 shtetas. Shpallet në kërkim 1 shtetas, për moskallëzim krimi. Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov e dyshuar e përdorur gjatë konfliktit, municion luftarak dhe 4 kallëpe lënde të dyshuar plasëse tritol.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të konfliktit të ndodhur mbrëmjen e datës 25.06.2026, në lagjen “Tre Heronjtë”, arrestuan shtetasit: -N. L., 63 vjeç dhe A. F., 27 vjeç, të dy banues në lagjen “Tre Heronjtë”, Shkodër.

Nga hetimet dyshohet se shtetasit A. F. dhe N. L. (fqinj) janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë zjarri, për të kanosur njëri-tjetrin. Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar porta e oborrit të banesës së shtetasit N. L. dhe një automjet i parkuar në oborr. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. L., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, e dyshuar e përdorur gjatë konfliktit, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. F., gjetën municion luftarak dhe 4 kallëpe lënde të dyshuar plasëse tritol. Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim shtetasi A. F., 26 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk ka kallëzuar. Vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.