Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka thirrur Komisionin e Disiplinës për të shqyrtuar incidentin e ndodhur në burgun e Fierit. Sipas burimeve, në mbledhje pritet të shqyrtohen masat e propozuara nga institucioni i vuajtjes së dënimit në Fier, i cili ka kërkuar largimin nga detyra të 6 efektivëve, ndërsa për 2 të tjerë është propozuar pezullimi. Në të njëjtën kohë, për të burgosurit e përfshirë në konflikt është propozuar një masë shtesë disiplinore prej tre muajsh.

Paralelisht, Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e konfliktit dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një përplasje të çastit apo nëse ngjarja ka qenë e organizuar apo e porositur. Në kuadër të hetimit është marrë në pyetje edhe Denis Bajri. Sipas dëshmisë së tij, Gjini dhe Zoto e kanë thirrur dhe më pas e kanë sulmuar me mjete prerëse të improvizuara.