Një konflikt i ndodhur në një lokal në fshatin Zvezdë të Maliqit ka përfunduar me plagosjen me mjet të mprehtë të 30-vjeçarit Anxhelo Brisku. Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes, ndërsa ka identifikuar personat e përfshirë.

Në lidhje me rastin, është shoqëruar në komisariat 35-vjeçari me iniciale I.M., i dyshuar për plagosjen. Sipas hetimeve paraprake, Brisku ka hyrë në lokal duke u prezantuar si punonjës policie dhe më pas ka goditur me sende të forta 35-vjeçarin.

Ky i fundit është kundërpërgjigjur duke e goditur 30-vjeçarin me një mjet të mprehtë, duke e lënë të plagosur.

Ndërkohë, Anxhelo Brisku është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka dhënë deklarime të rreme për rrethanat e ngjarjes dhe vendin ku ajo ka ndodhur. Fillimisht, ai kishte pretenduar se ishte sulmuar nga disa persona teksa po ecte në rrugë, në fshatin Neviçisht.

Në kërkim është shpallur edhe një 30-vjeçar tjetër, i dyshuar për moskallëzim krimi, pasi dyshohet se ka qenë dëshmitar i konfliktit.

Policia vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.