Një përplasje e dhunshme mes të rinjve në një lokal në rrugën “Reshit Petrela” në Tiranë ka përfunduar me një të arrestuar dhe pesë persona të proceduar penalisht.

Policia njofton se ka vënë në pranga shtetasin K. K., 23 vjeç, i cili u konfliktua me tre të rinj të tjerë: Sh. Ll., K. H. dhe K. N., të gjithë 20 vjeç. Gjatë përplasjes fizike, K. K. ka goditur lehtë me një mjet prerës shtetasin Sh. Ll.

Situata është përshkallëzuar më tej kur, sipas policisë, 23-vjeçari ka kundërshtuar një punonjës të Policisë Rrugore që ndërhyri për të qetësuar gjakrat, duke i marrë armën e shërbimit dhe më pas duke e hedhur disa metra më tej.

Në konflikt janë përfshirë edhe dy motra, L. G. dhe E. G., të dyja 25 vjeçe, të cilat kanë kundërshtuar efektivin e policisë gjatë ndërhyrjes.

Të gjithë personat e tjerë të përfshirë në incident janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të ngjarjes.