Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në burg Daniel Pepën, i akuzuar për vrasjen e Flori Paluçit, e ndodhur më 22 tetor në Manzë. Pas dorëzimit të tij në Policinë e Durrësit, së bashku me armën e krimit që është dërguar për ekzaminim, 21-vjeçari Daniel Pepa u paraqit këtë të enjte para gjykatës për verifikimin e kushteve të caktimit të masës së sigurisë.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura, ndërsa gjykata shqyrtoi kushtet ligjore të masës së sigurisë, e cila ishte caktuar më herët në mungesë. Pepa, gjatë seancës, është shfaqur i penduar dhe kërkoi ndjesë për krimin, duke shprehur gatishmërinë për të marrë përgjegjësinë për veprimet e tij.

Në përfundim të seancës, gjykata vendosi të vijojë masën e sigurisë “arrest në burg” dhe ngarkoi Prokurorinë dhe policinë gjyqësore për ekzekutimin e vendimit.

Hetimet për vrasjen e dyfishtë të Flori Paluçit dhe Aranit Kurtit, që ndodhi në Manzë, vazhdojnë. Daniel Pepa do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve.