Plagosja
Sokol Qose godet kushëririn Arben dhe nënën e tij, Bukurie
Një konflikt për pronësinë e një ngastre toke buzë lumit Shkumbin është bërë shkak për një përplasje të ashpër midis dy kushërinjve në lagjen “Çamëria” në periferi të qytetit të Elbasanit. Sokol Qose dhe Arben Qose janë përballur sërish dhe këtë herë debati ka qenë i fortë. Sokol Qose në sherr e sipër ka nxjerrë thikën duke e goditur disa herë 43-vjeçarin Arben Qose. Në këtë moment ka ndërhyrë nëna e Arbenit, Bukuria, e cila ka tentuar të ndalë konfliktin, por është përballur me disa goditje me gurë dhe mjete të tjera të forta në të gjithë trupin. Dy të plagosurit u dërguan nga të afërm drejt spitalit kirurgjik, ndërsa autori mundi të largohet nga vendi i ngjarjes.
Konflikti
Toka buzë lumit që ka marrë vlera, për shkak se në këtë pjesë janë ndërtuar shumë biznese, ka bërë që prej vitesh dy familje të të njëjtit fis të përballen herë pas here duke arritur shpesh edhe në konfrontim fizik.
Ngjarja e fundit ka ndodhur në mesditë, kur janë përballur dy të rinjtë e fisit Qose, duke debatuar sërish për pronësinë e tokës. Në konflikt ka ndërhyrë nëna e njërit prej djemve, por situata ka precipituar. Bukurie Qose dhe djali i saj, Arben Qose, me banim në lagjen Shënkoll në Elbasan, kanë përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin kirurgjik të këtij qyteti, pasi janë qëlluar disa herë me thikë nga Sokol Qose. Ai ka qëlluar disa herë për të vrarë kushëririn Arben Qose, duke i shkaktuar plagë të rënda në kraharor. Agresori nuk ka hezituar të qëllojë edhe nënën e tij, Bukurie Qosen, e cila gjithashtu ka përfunduar në spital e dëmtuar me mjete të forta.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, ekspertët dhe grupi hetimor. Nga të dhënat paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie, pasi mes kushërinjsh kanë ekzistuar mosmarrëveshje për një rrip toke, ku secila nga familjet pretendonte pronësinë. Policia ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur në kërkim. Mësohet se dy të plagosurit janë dërguar në spitalin kirurgjik në Elbasan, ku kanë marrë mjekimet e para. Gjendja e tyre konsiderohet e rëndë, pasi goditjet kanë qenë në organet jetësore të dy të plagosurve.
B.Nergjoni