Policia e Beratit ka arrestuar një 32-vjeçar dhe një 36-vjeçare në kuadër të operacionit “Precedenti”, të cilët akuzohen për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prostitucionit”.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi A. K., 32 vjeç, banues në Berat, është kapur dhe ndaluar në zbatim të masës së sigurisë “Arrest në burg” të caktuar nga Gjykata e Beratit. Ai akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion në Berat dhe Lushnjë, shtetasen A. H., 36 vjeçe, banuese në Memaliaj, Tepelenë.

Në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj, është kapur dhe ndaluar edhe shtetasja A. H., e cila akuzohet për veprën penale “Prostitucioni”.

Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të paligjshëm dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.