Një hetim i shtrirë në kohë ka çuar në goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për trafikim armësh dhe lëndësh plasëse në Tiranë. Operacioni i koduar “Rrjeti”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka përfunduar me arrestimin e disa personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Në fazën e fundit të aksionit, policia arrestoi Marsel Varkën, 35 vjeç, Elsaed Maqinajn, 25 vjeç, Fabian Zakon, 29 vjeç dhe Kristaq Bibën, 32 vjeç. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Kevin Vila, 21 vjeç dhe Bledar Avdillari, 28 vjeç.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, uniformat blu sekuestruan 7 armë zjarri, mes tyre 4 pistoleta dhe 3 automatikë, si dhe një sasi të konsiderueshme municionesh luftarake.
Sipas hetimeve, të dyshuarit vepronin në bashkëpunim me pesë persona të tjerë të arrestuar më herët, duke krijuar një rrjet të organizuar që siguronte armë dhe lëndë plasëse për t’i tregtuar në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Në kuadër të këtij procedimi penal, më herët ishin vënë në pranga edhe Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmeti dhe Klodian Mustafa.
Bilanci i plotë i operacionit “Rrjeti” përfshin arrestimin e 9 personave, sekuestrimin e 17 armëve të zjarrit, 4 kallëpëve me lëndë plasëse, një sasie të madhe municionesh, si dhe bllokimin e 4 automjeteve dhe 13 telefonave celularë, që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
