Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë ditën e sotme, në Elbasan. Sipas njoftimit të Policisë, ata dyshohet se po përgatisnin doza të kokainës dhe kanabisit me qëllim shitjen e tyre.

Mësohet se, një 18-vjeçar e ushtronte veprimtarinë e tij në lokalin ku punonte si kamarier si edhe në banesë, në bashkëpunim më vëllanë e tij dhe një person tjetër që kishte lokalin me qira në fshatin Mjekës.

Policia arriti të sekuestronte disa doza lëndësh narkotike, gjashtë grirëse, tre peshore elektronike, dy celularë si dhe një shkop metalik.

Njoftimi i policisë:

“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, dhe të drejtuara nga Prokuroria e Elbasanit, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 3 shtetasve, të cilët në bashkëpunim, shitnin lëndë narkotike, në doza, u finalizua operacioni i koduar “Roli”.

Gjatë operacionit u konstatua se një lokal në fshatin Mjekës, ishte vënë në dispozicion të përgatitjes, ndarjes në doza dhe shitjes së lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan shtetasi që kishte marrë me qira lokalin dhe kamerieri, D. R., 26 vjeç dhe L. Q., 18 vjeç, të dy banues në fshatin Mjekës. Nga kontrollet në ambientet e lokalit u gjetën doza të këtyre lëndëve, si dhe mjete që shërbenin për përgatitjen e dozave.

Më tej, u krye kontroll në banesën e 18-vjeçarit, ku u gjetën sasi dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe një shkop metalik, që dyshohet se posedoheshin nga vëllai i 18-vjeçarit, shtetasi E. Q., 24 vjeç, i cili në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”