Policia ka arrestuar një shqiptar në Torino të Italisë, pasi iu kapën rreth 3.5 kilogramë kokainë dhe 61 gramë metamfetaminë, të cilat i shiste edhe pse ishte me arrest shtëpie.
Hetuesit e Skuadrës “Flying Squad” kishin mbledhur informacione sipas të cilave shtetasi shqiptar, i cili ndodhej në arrest shtëpiak pasi ishte dënuar më parë për vepra penale të lidhura me drogën, dyshohej se po drejtonte një aktivitet të gjerë të trafikut të lëndëve narkotike nga banesa ku po vuante dënimin.
Sipas autoriteteve, i arrestuari ndjehej i sigurt duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm nga shtëpia e tij, një banesë e veçuar, e rrethuar me gardh të lartë dhe e ruajtur nga gjashtë qen të mëdhenj e agresivë.
Bazuar në provat e mbledhura gjatë ditëve të fundit, hetuesit ndërhynë dhe kryen kontroll në banesë. Gjatë bastisjes u sekuestruan mbi 3 kilogramë kokainë dhe 61 gramë metamfetaminë.
Kontrollet u shtrinë edhe në një banesë të dytë, gjithashtu në pronësi të të arrestuarit, pranë shtëpisë ku ai ndodhej në arrest shtëpiak. Aty u gjetën pajisje për përpunimin dhe paketimin e drogës, si dhe një makinë presimi e pajisur me krik hidraulik, e përdorur për ngjeshjen e lëndëve narkotike.
Prokuroria Publike e Torinos kërkoi dhe mori konfirmimin e arrestimit, pas së cilës u caktua masa e sigurimit “paraburgim”.
