Një 51-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë në Tiranë, i dyshuar për përfshirje në aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.
Arrestimi u krye në kuadër të fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Zonat”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve.
Sipas policisë, i arrestuari, me inicialet F.B., u lokalizua në zonën e Freskut. Gjatë kontrollit të çantës që mbante me vete, efektivët gjetën dhe sekuestruan 811 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 51-vjeçari nuk merrej vetëm me shpërndarjen e drogës, por furnizonte edhe persona të tjerë që më pas e shpërndanin atë në doza në zona të ndryshme të Tiranës.
Policia njofton se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të identifikuar dhe dokumentuar të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Një ditë më parë, në kuadër të fazës së parë të operacionit “Zonat”, u sekuestruan mbi 200 gramë kokainë dhe u arrestua poseduesi i saj.
