Në Qarkun Elbasan, reshjet e intensifikuara të mëngjesit kanë shkaktuar vështirësi dhe përmbytje në disa zona, duke rritur rrezikun për banesa të tjera. Pjesë të bashkisë Belsh kanë qenë nën ndikimin e shiut, me disa banesa që janë përmbytur, ndërsa dy raste të mëparshme janë shtuar me disa të tjera. Sipas autoriteteve, situata është ende e ndjeshme, por aktualisht nuk ka pasur bllokime të akseve rrugore.
Në bashkinë Cërrik, në Njësinë Administrative Shalës, disa shtëpi janë në rrezik për shkak të bllokimit të kanalit kullues dhe nivelit të lartë të ujit. Bashkia ka marrë masat e nevojshme për t’u përgjigjur shpejt situatës.
Ndërkohë, në Elbasan, një bllokim i kanalit kullues për shkak të punimeve nga firma Salillari, që po realizon projektin për Koridorin e 8, ka shkaktuar përmbytjen e pesë banesave në zonën e uzinës 12 të ish-Kombinatit Metalurgjik. Mjetet e firmës janë dërguar për të pastruar bllokimin dhe për të normalizuar situatën.
Në zonën e Gjergjanit dhe në fushën e Muriqanit, ka pasur gjithashtu dëmtime të tokave bujqësore për shkak të bllokimit të kanalit KK3. Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Korçë është njoftuar dhe po merr masa për zgjidhjen e problemit.
