Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, qarkullimi i mjeteve ka pasur vështirësi në disa zona të vendit, duke përfshirë edhe rrugën kryesore që lidh Tiranën me Durrësin.
Në hyrje të Durrësit, pranë një karburanti, uji ka mbuluar të dyja anët e rrugës, duke bërë të pamundur lëvizjen normale të automjeteve dhe duke shkaktuar bllokime të trafikut.
Për të shmangur ngarkesën dhe mundësinë e aksidenteve, Policia Rrugore ka shpallur disa devijime të lëvizjes. Automjetet që vijnë nga jugu drejt Tiranës do të mund të kalojnë përmes Rrugës së Plepave, duke vazhduar në Ndroq, dhe më pas nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Ndërkohë, për ata që udhëtojnë drejt Durrësit, do të mund të përdorin rrugën e universitetit, për të kaluar në Spitallë dhe më pas në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.
Policia apelon tek të gjithë drejtuesit e mjeteve që të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit. Ata duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore për të siguruar sigurinë e tyre dhe të tjerëve në rrugë.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme po bëjnë të gjitha përpjekjet për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe për të asistuar drejtuesit në nevojë.
