Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, prej të cilave 28 janë shuar plotësisht, 3 mbeten nën mbikëqyrje dhe vetëm 1 vatër vijon aktive.

Në operacionet për përballimin e zjarreve janë angazhuar 426 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 92 efektivë, 10 mjete, 1 dron dhe 1 autoambulancë.

Situata paraqitet ndjeshëm më e përmirësuar.

Në Qarkun Tiranë, vatra në Malin e Dajtit, ku gjatë ditës së djeshme operuan edhe 33 forca ushtarake, është fikur, ndërsa e fikur rezulton edhe vatra në Malin me Gropa.

Në Qarkun Dibër, vatrat në Lundre–Madhesh, bashkia Mat, në Cerrujë të Klosit dhe në Selishtë mbahen nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara.

E vetmja vatër aktive mbetet ajo në fshatin Gallatë, njësia administrative Milot, Bashkia Kurbin, e ardhur nga territori i Bashkisë Mat. Terreni i vështirë pengon operimin e mjeteve, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Qarkun Shkodër, vatrat në Porav, Rragam dhe malin e Tërbunit rezultojnë të fikura.

Po ashtu, janë fikur vatrat e raportuara në Fier/Mallakastër, Elbasan dhe Korçë.