Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq profesorin italian, Michele D’Angelo, i cili akuzohet për shkaktimin e një aksidenti fatal, ku një i mitur humbi jetën dhe dy persona të tjerë mbetën të plagosur. Sipas hetimeve, profesori italian u largua nga vendngjarja pas aksidentit, duke shpërfillur detyrimet ligjore për të qëndruar dhe raportuar ngjarjen.
D’Angelo, i cili u lirua nga burgu pasi pagoi një garanci, përballet me dy akuza: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Hetimet kanë zbardhur detaje të tjera mbi ngjarjen dhe janë duke u përpjekur të sqarojnë shkakun e aksidentit dhe veprimet e profesorin pas tij.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim procedimin shtetasin M.G., shtetas i huaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ parashikuar nga neni 290 pg.4 i Kodit Penal dhe ‘Largimi nga vendi i aksidentit’ parashikuar nga nenit 273 i Kodit Penal.
Nga hetimet i kryer mbi procedimin penal nr.1207, datë 10.08.2025, në bashkëpunim me policinë gjyqësore u arrit të provohet se, në datë 08.08.2025, rreth orës 20:00, në aksin rrugor Fier- Levan, automjeti me targa të huaja, i drejtuar nga i pandehuri M.D., u përfshi në një aksident rrugor me automjetin tip “Mercedes Benz” të drejtuar nga shtetasi E.SH.
Automjeti që drejtohej nga i pandehuri M.D., është larguar nga vendi i ngjarjes, duke iu shmangur përgjegjësisë administrative dhe asaj penale. Si pasojë e kësaj ngjarjeje, ka humbur jetën shtetasi i mitur E.Sh, është plagosur rëndë shtetasi F.T., si dhe janë plagosur lehtë shtetasi i mitur K.D dhe drejtuesi i automjetit tip “Mercedes Benz”. Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga i pandehuri M.D. janë vlerësar se kanë qenë determinante në ardhjen e pasojave.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit të shtetasve nëpërmjet mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.
