Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Adnan Galica, i dyshuar si shkaktari i aksidentit tragjik ku humbi jetën 62-vjeçari Shkëlqim Krasniqi dhe mbetën të plagosur një baba me dy fëmijët e tij të mitur.

Gjatë seancës gjyqësore, avokati mbrojtës Arbër Raja kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke argumentuar se 36-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor, përfshirë skizofreninë dhe epilepsinë. Sipas mbrojtjes, Galica ka pasoja të rënda shëndetësore nga një aksident i ndodhur kur ishte 18 vjeç, pas të cilit kishte qëndruar për një periudhë në koma.

Avokati kërkoi masën “arrest shtëpie” dhe trajtim të specializuar mjekësor deri në përfundimin e ekspertizës psikiatrike nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Edhe mjeku reanimator i spitalit rajonal të Shkodrës rekomandoi trajtim spitalor për të dyshuarin deri në sqarimin e plotë të gjendjes së tij shëndetësore.

Nga ana tjetër, prokuroria kërkoi lënien në fuqi të masës “arrest me burg”, duke vlerësuar pasojat e rënda të aksidentit, kërkesë që u pranua nga gjykata.