Këshilli i Ministrave do të mblidhet të enjten, më 25 shtator, në orën 12:00, për të marrë një vendim përfundimtar mbi shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi pritet të merret pas një votimi të zhvilluar një ditë më parë në Këshillin Bashkiak, ku u miratua shkarkimi i Veliajt me 50 vota pro.
Pas këtij votimi, Prefekti i Tiranës ka përcjellë vendimin për shkarkimin e Veliajt në Qeverinë Shqiptare, e cila, sipas ligjit, është përgjegjëse për marrjen e vendimit përfundimtar. Shkarkimi i Veliajt ka si motivacion faktin se ai nuk ka qenë i pranishëm në detyrë për një periudhë prej tre muajsh.
Megjithatë, procesi mund të pezullohet nëse Erion Veliaj apelon këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese. Nëse ai e dërgon çështjen në Kushtetuese, vendimi për shkarkimin e tij mund të ndalohet deri në një vendim të ri të organit të lartë të drejtësisë.
