Këshilli i Ministrave ka njoftuar zyrtarisht Presidencën për shpalljen e vakancës në Bashkinë e Tiranës, pas vendimit për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Njoftimi vjen në një kohë kur vetë Veliaj ka depozituar një ankimim në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar shkarkimin e tij.

Pavarësisht procesit në Kushtetuese, procedurat institucionale për zëvendësimin e tij kanë nisur. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, është vënë në dijeni jo vetëm për vakancën në kryeqytet, por edhe për pesë bashki të tjera: Vlorën, Beratin, Matin, Cërrikun dhe Tepelenën.

Tashmë pritet që Kreu i Shtetit të shpallë datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore për këto bashki, në përputhje me afatet ligjore. Ndërkohë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e mëtejshme të procesit për Bashkinë e Tiranës.