Presidenti Bajram Begaj ka thirrur këtë mëngjes Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në një mbledhje që vjen në një moment zhvillimesh të rëndësishme në Shërbimin Informativ të Shtetit.

Takimi është parashikuar të nisë në orën 08:30 në Pallatin e Brigadave dhe zhvillohet pas vendosjes së ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, në masën e “arrestit në shtëpi”.

Në qendër të diskutimeve pritet të jenë çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare, mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe situatën e krijuar së fundmi në shërbimin sekret shqiptar.

Pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe drejtimi i SHISH pas largimit të Hysenit. Detyrën e drejtuesit të komanduar të institucionit pritet ta ushtrojë Elvis Lila.

Këshilli drejtohet nga Presidenti i Republikës dhe në të marrin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore dhe strukturave përgjegjëse për sigurinë.

Në mbledhjen e sotme pritet të jenë të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha. Në tryezë pritet të ulen gjithashtu drejtues të SHISH-it, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare funksionon si organ këshillimor pranë Presidentit për çështje që prekin sigurinë e vendit. Kreu i shtetit mund të thërrasë në mbledhje edhe përfaqësues të institucioneve të tjera, në varësi të temave që janë në rendin e ditës.

Mbledhja e mëparshme e Këshillit ishte zhvilluar në qershor të vitit 2023, kur në fokus ishte siguria kibernetike dhe masat për forcimin e mbrojtjes së vendit ndaj kërcënimeve në këtë fushë.

Në të kaluarën, gjatë presidencës së Ilir Metës, në mbledhjet e Këshillit është ftuar edhe drejtuesi i atëhershëm i opozitës, Lulzim Basha, i cili e kishte pranuar ftesën.