Fatjon Pasholli, është shkarkuar nga posti i drejtorit të AKU.
Ky ndryshim i drejtorit të AKU Tiranë vjen pas disa skandaleve të fundit që kanë ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë ushqimore në vend. Shkarkimi i Fatjon Pashollit u pasua nga emërimi i Alketa Hoxhës si drejtuese e përkohshme, një lëvizje që synon përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe restaurimin e besimit te konsumatorët.
Një nga incidentet që ka shkaktuar më shumë shqetësime ka qenë gjetja e filetove të pulës të kontaminuara me salmonelë, të cilat u shpërndanë në tregun shqiptar. Ky rast i dha një “shok” të madh autoriteteve dhe konsumatorëve, pasi infeksionet bakteriale si salmonela mund të shkaktojnë sëmundje të rënda dhe janë të rrezikshme për shëndetin e publikut.
Po ashtu, një tjetër shqetësim ka qenë gjetja e luleshtrydheve të kontaminuara me nivele të larta pesticide, një fenomen që ka ngritur pyetje rreth kontrollit dhe monitorimit të produkteve ushqimore që hyjnë në treg.
Por kjo nuk është hera e parë që shqetësime të tilla paraqiten. Në vitin 2025 janë identifikuar edhe raste të tjera të rrezikshme për konsumatorët, duke përfshirë mandarinat e kontaminuara me pesticide dhe peshkun që rezultoi të ishte i infektuar me parazitë, gjithashtu të hedhura në treg.
