Shpesh debati publik ndalet te ndotja plastike, te mbetjet që shihen me sy dhe që fotografohen lehtë. Por drama e vërtetë mjedisore ndodh më thellë, atje ku nuk ka etiketa dhe as alarme publike.

Sot, kërcënimi më i madh për rrjedhën e lumit Shkumbin nuk janë qeset apo mbeturinat e përditshme, por ndërhyrjet masive infrastrukturore që po i ndryshojnë rrjedhën natyrale dhe po shkatërrojnë shtratin e tij në mënyrë të pakthyeshme.

Prej vitesh, në emër të zhvillimit dhe projekteve madhore infrastrukturore sikurse është Korirdori Tetë , rrjedha e lumit Shkumbin nga Peqini deri në Hotolisht të Librazhdit është kthyer në një kantier të hapur shfrytëzimi.

Kompanitë fituese për ndërtimin e lotëve të Korridorit Tetë kanë marrë e do marrin miliona metra kub inerte direkt nga shtrati i lumit duke e gërryer atë pa kriter dhe pa asnjë respekt për ekuilibrin natyror. Ajo që po ndodh nuk është thjesht një ndërhyrje teknike, por një masakër e mirëfilltë mjedisore.

Ky shkatërrim i shtratit të lumit Shkumbin sjell pasoja të rënda dhe afatgjata ,prishje të rrjedhës natyrale, rritje të rrezikut nga përmbytjet, zhdukje të biodiversitetit, degradim të tokave bujqësore dhe rrezikim të drejtpërdrejtë për komunitetet përgjatë gjithë luginës së rrjedhës së Shkumbinit.

Lumi, që për shekuj ka qenë burim jete dhe zhvillimi, sot po trajtohet si një minierë e hapur inertesh për interesa afatshkurtra ekonomike.

Edhe më alarmuese është fakti se kjo masakër kryhet me bekimin institucional. Në heshtje nga shfrytëzimi barbar i rrjedhës së Shkumbinit , miliona euro përfundojnë në xhepat e kompanive ndërtuese të Korridorit Tetë , ndërsa kostoja reale paguhet nga mjedisi dhe nga brezat e ardhshëm. Asnjë transparencë, asnjë llogaridhënie, asnjë studim serioz mbi pasojat akumulative të këtij shfrytëzimi barbar.

Shkatërrimi i lumit Shkumbin nuk është thjesht një problem mjedisor, por një krim ndaj interesit publik. Zhvillimi nuk mund dhe nuk duhet të ndërtohet mbi rrënimin dhe shkatërrimin e natyrës. Nëse sot heshtim për Shkumbinin, nesër do të përballemi me pasoja që nuk riparohen dot me asnjë projekt e asnjë fond.

Është koha që e vërteta të thuhet hapur. Shkumbini po shkatërrohet jo nga papërgjegjshmëria e qytetarëve, por nga vendime të gabuara dhe interesa të fuqishme mafioze që po e trajtojnë lumin si plaçkë, jo si pasuri kombëtare.