Operacioni


Droga vinte nga Holanda dhe hynte në Itali nëpërmjet kufirit verior. Emrat e të arrestuarve


foto ilustruese

foto ilustruese


Në një operacion të koordinuar, policia italiane ka asgjësuar një bandë të trafikut ndërkombëtar të kokainës, e cila drejtohej nga shqiptarë. Mësohet se nga 31 të arrestuarit, 15 prej tyre janë shqiptarë dhe rreth 2.5 kg kokainë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.


Mediat italiane bëjnë me dije se në operacion janë përfshirë rreth 300 policë të krahinës së komandës në Asti, të cilët me ndihmën e helikopterëve dhe qenve kryen arrestimet paralele në disa qytete veriore të Italisë. Banda e kishte bazën e saj operative në Asti dhe nga atje kujdesej për menaxhimin e tregtisë së drogës në Itali.


Mësohet se rrjeti kriminal ka qenë shumë i organizuar dhe aktivitetin e tyre e kishin shtrirë në shumë shtete të Europës. Ajo ishte e përbërë nga të huaj dhe shqiptarë, ku këta të fundit ishin në dominancë. Droga vinte nga Holanda dhe hynte në Itali nëpërmjet kufirit verior. Ajo shpërndahej në shumë qytete, si në Asti, Xhenova, Piza, Parma dhe Milano, Udine, Brescia, Savona etj., nga trafikantët. Krerët e bandës ishin tre persona me origjinë shqiptare dhe burimet thonë se ata janë identifikuar si Vexhi Shahinaj, Saimir Guradeci (aktualisht të arrestuar në Francë) dhe një i tretë ndodhet aktualisht i arrestuar në Shqipëri, emri i të cilit nuk bëhet me dije. Furnizuesi i grupit ishte Saimir Serjani, i cili drejtohej nga vëllezërit Alibej nga Elbasani dhe vëllezërit Bullari. Gjithashtu droga shpërndahej nga i njëjti rrjet edhe në Gjermani, Belgjikë dhe në Britaninë e Madhe, duke rekrutuar trafikantë vendas dhe shqiptarë në këto shtete të mëdha europiane. Mësohet se banda ndërkombëtare e trafikimit të kokainës, operonte prej vitesh, duke konsoliduar mekanizmin e funksionimit, për t’iu shmangur arrestimeve të autoriteteve vendase.


Gjithsesi ajo ka rënë në gjurmët e policisë në vitin 2011, ku disa prej tyre janë arrestuar. Sasia totale e kokainës së trafikuar shkon rreth 31 kilogramë, që kap vlerën e 10 milionë eurove. Gjatë valës së arrestimeve, policia italiane çoi në sekuestrimin e armëve të shumta të paligjshme që mund të jenë përdorur në veprimtari kriminale të lidhura me organizatën. Armatimet janë duke u studiuar nga hetuesit, të cilët po përpiqen për të kuptuar nëse janë përdorur dhe kur janë përdorur. Po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të hetimeve, pasi dyshohet se persona të tjerë u kanë shpëtuar arrestimeve në flagrancë të policisë italiane. Në mënyrë të përsëritur autoritetet kanë arrestuar anëtarë të kësaj bande, por kurrë nuk ishte kryer një operacion kaq i organizuar, duke shkatërruar bazën.


 


 


Emrat e shqiptarëve të arrestuar


Endrit Alibej, 29 vjeç


Andrea Alibej, 27 vjeç


Ervin Baho, 22 vjeç


Eno Bedali, 35 vjeç


Robert Braçja, 24 vjeç


Artan Bregu, 28 vjeç


Julian Bullari, 26 vjeç


Ersekë Burekasi, 25 vjeç


Emiliano Duka, 24 vjeç


Saimir Guradeci, 25 vjeç


Englentian Hasa, 24 vjeç