Një operacion i gjerë policor i zhvilluar në Vlorë ka çuar në arrestimin e gjashtë personave të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë, i përfshirë në krime kundër personit dhe trafik të lëndëve narkotike.
Aksioni u organizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës.
Sipas policisë, mes të arrestuarve ndodhen dy persona të shpallur në kërkim kombëtar dhe një shtetas i kërkuar ndërkombëtarisht nga Italia, i dënuar më parë për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Gjatë operacionit u vu në pranga edhe autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 7 qershor në Vlorë, si dhe një tjetër person i shpallur në kërkim, i dyshuar për përfshirje në të njëjtën ngjarje.
Kontrollet u zhvilluan në një lokal në fshatin Vranisht, ku forcat e policisë sekuestruan katër armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, sasi municioni luftarak, shtatë telefona celularë, 1.850 euro dhe tre automjete, njëri prej të cilëve i blinduar.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se një automjet tip “BMW X5”, i sekuestruar gjatë operacionit, dyshohet se është përdorur nga një prej të arrestuarve për t’u larguar nga vendi i plagosjes së ndodhur në Vlorë pak ditë më parë.
Policia njofton se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e grupit kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në veprimtarinë e tij. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
