Një rrjet i mirëfilltë prostitucioni është zbërthyer ditën e sotme në Tiranë. Mësohet se në pranga kanë rënë dy persona, të cilët akuzohen se shfrytëzonin 5 vajza me origjinë nga Kina, për prostitucion.

Sipas policisë, vajzat ishin sjellë në vendin tonë se do punësoheshin në qendra masazhi, pro me të mbërritur ato ishin detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale në këmbim të parave. Shërbimet e ofruara nga vajzat reklamoheshin në një faqe online, ku pagesat varionin nga 200-300 euro për shërbim.

5 vajzat janë proceduar në gjendje të lirë, ashtu si edhe një 62-vjeçar, klient i tyre,  i cili nuk ka kallëzuar veprimtarinë kriminale.

Njoftimi i policisë:

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Red Light 3”. Gjatë operacionit, u ndaluan shtetasit A. W., 45 vjeç dhe Zh. Y., 30 vjeç, të dy për veprat penale të “Trafikimit të personave të rritur”, “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion”, kryer në bashkëpunim.

Po ashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetase kineze për veprën penale “Prostitucioni”, si dhe shtetasi G. L., 62 vjeç, për “Moskallëzimin e krimit”.

Hetimet treguan se dy të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin sjellë në Shqipëri 5 shtetase të huaja, të cilave u kishin premtuar punësim në qendra masazhesh. Pas mbërritjes në Shqipëri, ato u shfrytëzuan për prostitucion në apartamente të marra me qira.

Një nga metodat e përdorura nga autorët ishte reklama e vajzave në faqe online, gjetja e klientëve dhe menaxhimi i pagesave që varionin nga 200-300 euro për shërbim.