Autoritetet e Ekuadorit kanë goditur një organizatë kriminale të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, operacion që ka çuar në arrestimin e 12 personave në Ekuador dhe 11 të tjerëve në Spanjë, mes tyre edhe shtatë shtetas shqiptarë. Sipas mediave vendase, agjentët kanë kryer tetë bastisje në orët e para të mëngjesit në komunat Samborondón, Naranjal dhe Daule, në provincën Guayas.

Grupi kriminal kishte degë të tij edhe në Spanjë dhe shtrinte aktivitetin në disa vende të Evropës, kryesisht në Spanjë, Belgjikë dhe Holandë, si dhe në disa shtete të Afrikës. Vlera e drogës së trafikuar nga organizata vlerësohet në rreth 300 milionë dollarë.

Policia ka sekuestruar si prova materiale armë, para, pajisje elektronike dhe bizhuteri. Hetimet kanë zgjatur tre vite, ndërsa pjesëtarët shqiptarë të grupit janë arrestuar në Spanjë. Sipas autoriteteve, organizata përdorte biznese të ligjshme si fasadë për të eksportuar sasi të mëdha droge dhe për të pastruar paratë.