Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, pasi akuzohet për shkatërrimin me lëndë plasëse të një automjeti në Bulqizë.
Policia bëri të ditur se, si rezultat i bashkëpunimit mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura e ekstradimit të shtetasit Robert Isaku, 48 vjeç.
Sipas autoriteteve, ai kërkohej nga drejtësia shqiptare pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale. Nga hetimet rezulton se mbrëmjen e 29 qershorit 2018, Isaku dyshohet se vendosi dhe shpërtheu lëndë plasëse në një automjet tip “Audi”, në pronësi të shtetasit F. T. dhe në përdorim të shtetasit T. T., pronar i një lavazhi ku ndodhi shpërthimi.
Njoftimi i policisë:
Interpol Tirana/Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, për nxjerrjen përpara drejtësisë, të shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
Shkatërroi me lëndë plasëse, një automjet, në një lavazh në Bulqizë, ekstradohet nga Spanja, 48-vjeçari.
Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Madridit, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Spanja, në Shqipëri, të shtetasit R. I., 48 vjeç.
Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht, sepse Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.
Shtetasi R. I. akuzohet se mbrëmjen e datës 29.06.2018, ka shpërthyer me eksploziv, automjetin tip “Audi” në pronësi të shtetasit F. T. dhe në përdorim të pronarit të lavazhit ku ndodhi shpërthimi, shtetasit T. T.
Si pasojë pati vetëm dëme materiale.


