Duke rrezikuar jetën, ata mblidhnin hekur në zonë të ndaluar


As tragjeditë nuk i ndalojnë njerëzit për të hyrë në zona të rrezikshme, me qëllim për të mbledhur hekurishte për skrap. Kjo, jo vetëm në Gërdec, por në shumë zona ushtarake, apo ish-ushtarake në vendin tonë. Rasti i fundit ka të bëjë te një ish-repart ushtarak në Kavajë, ku tre të rinj, duke rrezikuar jetën e tyre, kanë hyrë në një tunel të ish-repartit, me qëllim për të mbledhur skrap, ndërkohë që janë diktuar nga policia dhe janë proceduar penalisht. Ky nuk është rasti i vetëm, veç atij të zbuluar nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, pasi pak javë më parë, një tjetër fatkeqësi u shënua në zonën e Bigasit në Skrapar, kur një kryefamiljar vdiq nga shpërthimi i një predhe.


Në lidhje me rastin e fundit, por fatmirësisht pa viktima, burimet policore shprehen se ka ndodhur në Kavajë. Tre të rinj janë kapur në një tunel të ish-repartit ushtarak, në fshatin Çorum të Komunës Kryevidh, duke e shkatërruar atë, me qëllim marrjen e hekurit për skrap. Sipas të dhënave, në tunel mund të ndodhen edhe objekte të rrezikshme. Kështu, pas zbulimit të tre të rinjve, që ndodheshin brenda tunelit, policia i ka shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Kavajës. Sipas të dhënave, në polici janë shoqëruar Jaho Hoxha, 30 vjeç, Marjan Zhugri, 31 vjeç, të dy banues në Shkallnur të Durrësit dhe Adriatik Elezi, 31 vjeç, banues në Komunën Kryevidh të Kavajës. Ata janë marrë në pyetje për aktivitetin e paligjshëm dhe kanë deklaruar se e bënin këtë për të fituar para për familjet e tyre, për shkak të papunësisë. Në këto kushte, është vendosur që ata të ndiqen penalisht në gjendje të lirë, ndërkohë që janë paralajmëruar që të mos shkojnë më në atë zonë të ndaluar.


Shqetësues mbetet fakti i këtyre zonave të rrezikshme, pasi vetëm tri javë më parë një tjetër viktimë u shënua te reparti i Bigasit në Skrapar. Shumë pranë repartit të Bigasit, Fatos Dyrmishi grumbullonte hekura me qëllim tregtimin e tyre për skrap, ndërkohë që tentativa për të çmontuar një predhë ka shkaktuar shpërthimin, duke i marrë jetën në mënyrë të menjëhershme. Ngjarja ndodhi mëngjesin e datës 22 prill, duke tronditur banorët e fshatit të vogël Dhorez, i cili ndodhet vetëm pak metra larg repartit ushtarak, ku prej gati dy vitesh demontohen municione. Por, këtë herë shpërthimi që kanë dëgjuar banorët nuk ka ardhur nga brenda ambientit të repartit, por në pjesën e jashtme të tij. Reparti i Bigasit ndahet nga zona tjetër e fshatit vetëm nga një kordon teli dhe shumë pranë tij, 42-vjeçari nga fshati Koprenckë, i Komunës së Çepanit mblidhte hekurishte. Në këtë repart ka pasur viktima edhe nga forcat ushtarake gjatë procesit të demontimit.


Ndërsa dy ditë më parë, “Fiks Fare” dha alarmin se katër vjet pas tragjedisë së Gërdecit, disa nga banorët e këtij fshati dhe fshatrave përreth guxojnë çdo ditë të hyjnë brenda zonës së rrezikut dhe të kërkojnë metalin e mbetur pas shpërthimit për ta shitur për skrap. Mes këtyre mbeturinave, shpeshherë gjejnë edhe djegore të paplasura, të cilat i çmontojnë vetë. Këto municione të paplasura i gjen në duart e fëmijëve që gërmojnë bashkë me prindërit, edhe pse është një zonë e ruajtur nga ushtria dhe është rreptësisht e ndaluar hyrja. Krateri gjigant që hapi shpërthimi atje ku dikur ishte fabrika e demontimit të armëve, tani është i rrethuar dhe zonë e ndaluar, po kështu edhe dhjetëra hektarë tokë janë të rrethuar dhe zonë e ndaluar për t’u futur.