Policia Kufitare ka bllokuar një mjet lundrues tip gomone në zonën e Dhërmiut dhe ka gjobitur drejtuesin e tij me 500 mijë lekë të rinj, pasi shkeli perimetrin e sigurisë duke rrezikuar pushuesit në plazh.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare morën denoncim nga pushuesit se një gomone ishte futur shumë pranë vijës bregdetare.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme nga Policia Kufitare e Dhërmiut dhe Njësia Policore Detare e DVKM Vlorë, u bë identifikimi i mjetit dhe i drejtuesit, shtetasit me iniciale F.D.
Në përfundim të procedurave administrative, ndaj tij u vendos masa administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
Policia bëri të ditur se patrullimet janë shtuar ndjeshëm në vijën bregdetare nga Vlora deri në Ksamil, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit turistik.
Autoritetet apeluan ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë pranë zonave të plazhit.
