Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 2.089 kilogramë produkte mishi në një subjekt për përpunimin e mishit në Fier, pas konstatimit të një sërë shkeljesh të kushteve higjieno-sanitare dhe të sigurisë ushqimore. Subjekti është gjobitur me 1 milion lekë, ndërsa një pjesë e aktivitetit është ndërprerë.
Kontrolli u krye nga inspektorët e AKU-së Fier në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, pas informacionit të përcjellë nga Prokuroria. Gjatë inspektimit në subjektin me aktivitet “përpunim mishi”, në pronësi të R. Saulit, u konstatuan mungesë e kushteve higjieno-sanitare dhe e kushteve të ruajtjes së produkteve, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë për periudhën tetor-nëntor, si dhe moszbatim i plotë i sistemit të vetëkontrollit HACCP.
Për këto shkelje, AKU vendosi bllokimin e produkteve me destinacion asgjësimin. Sasia e sekuestruar përbëhet nga 1.629 kilogramë produkt “gjiro”, 100 kilogramë dhjamë derri dhe 360 kilogramë kimë mishi pule.
Kontrolle janë ushtruar edhe në qarqet Shkodër, Durrës dhe Dibër. Në Shkodër, në subjektin “Universal Frigo Darb”, me aktivitet përpunimin e mishit, u konstatua mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë dhe u vendos gjobë prej 100 mijë lekësh.
Në Durrës, subjekti “Golden Hand Company”, me aktivitet tregtimin e frutave të thata, u gjobit me 300 mijë lekë për mungesë gjurmueshmërie, moszbatim të sistemit HACCP dhe shkelje të përgjegjësive të operatorit të biznesit ushqimor.
Ndërkohë, në qarkun Dibër, Kopshti nr. 3 dhe Spitali Civil në Peshkopi u gjobitën me nga 30 mijë lekë secili, për mosrealizimin e detyrave të lëna nga inspektimet e mëparshme.
Sipas njoftimit të AKU-së, gjatë dy ditëve në rang vendi janë inspektuar gjithsej 160 subjekte: 50 me origjinë shtazore, 78 me origjinë joshtazore dhe 32 subjekte MBIB. Në përfundim të kontrolleve janë vendosur 9 masa administrative me paralajmërim dhe 8 gjoba, me vlerë totale 1 milion e 460 mijë lekë.
AKU bën me dije se kontrollet do të vijojnë, ndërsa subjektet janë ngarkuar me detyra për përmbushjen e kërkesave të legjislacionit për sigurinë ushqimore.
