Në pjesën e parë të dokumentarit, ne zbërthyem dosjen hetimore të SPAK për skandalet në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Sipas hetimeve rezulton se zyrtarët dhe biznesmenët e AKSHI-t, në një hark kohor prej më pak se 1 viti kanë paracaktuar tendera me vlerë prej plot 57 milionë euro.
Por, historia nuk nis këtu. Nuk nis sot. Nuk nis me denoncimin e biznesmenit Gerond Meçe për marrjen peng të tij, me qëllim tërheqjen nga disa ankesa për tendera të humbur. Bosi i kompanisë ADVANCE BUSINESS SOLUTIONS ose ABS, nisi ofensivën e ankesave përgjatë vitit 2025, pasi e pa veten jashtë tenderave me shumë zero të AKSHI-t.
Në fakt, dikur ai rezultonte biznesmeni numër 1 që kishte përfituar nga kjo Agjenci dhjetëra milionë euro. Këto janë të dhënat e nxjerra nga Open Data për transaksionet e thesarit në favor të subjektit ABS. Midis viteve 2019-janar 2026, kompania e tij ka arkëtuar afro 3,8 miliardë lekë, ose thënë ndryshe, rreth 40 milionë euro në 595 transaksione.
Nëse analizon me kujdes, bie në sy fakti se në dy vitet e fundit, 2024-2025, arkëtimet e tij kanë rënë ndjeshëm në raport me vitet paraardhëse. Për të dyja vitet bashkë Gerond Meçe arkëton rreth 800 milionë lekë, ose afro 8 milionë euro. Këtu, nis edhe strategjia e tij e re me ankesa të shumta dhe ankimime të procedurave që fitoheshin nga biznesmeni Ermal Beqiri i kthyer në kundërshtar, apo subjekte të tjera.
“Këta operatorë ndoshta që mund të kenë operuar me tenderimet janë aq të pakët sa mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, dhe morën monopol në vetvete, kur cenohen mes njëri-tjetrit krijohen dy hemisfera të dala nga njëra dhe vjen një moment që ato fërkohen mes tyre, kanë një luftë mes tyre”, u shpreh avokati, Bledar Meminaj.
Por, i njëjti biznesmen, që del si viktimë në përplasjen për tenderat, Gerond Meçe, vetë rezulton fitues në procedura të shumta të klasifikuara me flamur të kuq. Pra, një tregues i qartë i dyshimeve për korrupsion dhe paracaktim të garave. Mbi të gjitha, një standard i dyfishtë sipas interesit personal.
Këto që shihni, janë disa prej procedurave të dyshuara ku është shpallur fituese kompania e ABS e Gerond Meçes. Siç konstatohet, tenderat klasifikohen me flamur të kuq për skualifikimin e të gjitha kompanive të tjera dhe për refuzimin e ofertave më të ulëta.
“Ka disa arsye pse një tender mund të shpallet me flamur të kuq, numër i kufizuar pjesëmarrësish, përqindje e lartë e fondit limit e ankimimeve që bëhen, lidhjet mes kompanive por sigurisht janë indikacion që të bën të hetosh edhe më tej për këtë procedurë”, u shpreh Emirjon Senja, gazetar.
Përfitimet dhjetëra milionë euro nga biznesmeni Gerond Meçe, janë një tregues i qartë se historia e AKSHI-t nuk ka viktima, por ka interesa që përplasen. Pasi zbuluam përfitimet dhjetëra milionë euro të Gerond Meçes, tashmë do të fokusohemi në një hulumtim të detajuar të ndjekjes së parave.
