viktima_kujtim_kraja,shkodërAtentati


Kujtim Kraja u vra në vendin e punës, ku mendohet se i kishin bërë pritë dy persona


Kushëriri i Mir Koçisë ka mbetur i vrarë gjatë një atentati në Shkodër nga dy persona, të cilët mendohet se i kishin zënë pritë në vendin e tij të punës. Ngjarja e rëndë, e cila tronditi qytetin verior, ka ndodhur në mesditë, ndërkohë që policia ka shtrirë hetimet në disa pista, duke mos përjashtuar ndonjë hakmarrje të mundshme ndaj të afërmve të Koçisë, pasi vetë viktima e djeshme, pikërisht Kujtim Kraja, 48 vjeç, nuk njihej si ndonjë person problematik.


Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 13:30 në periferi të qytetit, te Varrezat e Dëshmorëve. Sipas të dhënave, viktima ndodhej i vetëm në automjetin e tij të punës, tip “kamionçinë” dhe sapo ka shkarkuar disa inerte në vendgrumbullimin e mbeturinave, është qëlluar prej një distance të afërt nga një breshëri kallashnikovi. Policia dyshon se kanë qenë dy persona, të cilët kanë qëndruar të fshehur derisa kanë parë objektivin e tyre, duke e qëlluar pa paralajmërim.


Si pasojë e pesë plumbave të marrë në trup, 48-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Menjëherë, policia ka nisur hetimet në vendin e ngjarjes, por për momentin ngjarja nuk ka as autor dhe as motive të qarta. Deklarimet e familjarëve se viktima nuk kishte asnjë konflikt, e ka bërë akoma më të vështirë zbulimin e ngjarjes nga policia. Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar 7 gëzhoja automatiku, të cilat janë dërguar për ekspertizë.


Në lidhje me këtë atentat, policia ka shoqëruar dy persona, si dhe janë intervistuar familjarët e viktimës, por burime nga hetimi bëjnë të ditur se ende nuk është arritur të merret ndonjë informacion me vlerë në zbardhjen e ngjarjes. Fakti se autorët kanë qëlluar viktimën në një zonë, ku ka fare pak lëvizje, e bën akoma më të vështirë punën e policisë në identifikimin e autorëve.



Sipas të dhënave, aktualisht nuk janë përjashtuar as hetimet për lidhjet farefisnore të viktimës me Mir Koçinë, i cili u ekzekutua në nëntor të vitit 2012. Megjithatë, sipas dëshmive të familjarëve, ai nuk kishte lidhje me aktivitetin e kushëririt. Edmir Koçia, 38 vjeç, është qëlluar me breshëri automatike në afërsi të shtëpisë së tij rreth orës 20:30 të datës 29 nëntor 2012 në mes të Shkodrës, ndërkohë që autorët nuk dihen edhe sot. I njohur me emrin Mir Koçia, 38-vjeçari ka marrë katër plumba në trup, ndërkohë që mendohet se pas krismave të armës vrasëse, dëshmitarët kanë dëgjuar edhe dy krisma pistolete, ku edhe është ngritur dyshimi se Koçia është vrarë për hakmarrje. Ndërsa më 20 janar u vra rivali i Koçisë, pikërisht Kujtim Vajushi, 46 vjeç, i cili ka qenë duke ecur i vetëm në trotuar, te rruga e tregut në Shkodër, kur janë afruar dy persona me motor dhe skafandra, të cilët e kanë qëlluar me tre plumba pistolete. Këto ngjarje misterioze bëjnë që policia të ngrejë dyshimet se ky mund të jetë një varg hakmarrjeje. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet se ekzekutimi i djeshëm mund të jetë kryer për ndonjë konflikt të kohëve të fundit të viktimës.