Depresioni dyshohet të jetë bërë shkak për vetëmbytjen e një 40-vjeçar nga Shkodra. Burimet policore sqarojnë se 40-vjeçari me inicialet A.T. është vetëmbytur pasditen e sotme në qytetin e Shkodrës, duke u hedhur nga ura e Bunës.


I njëjti burim saktëson se viktima, banor i lagjes Ura Dervishbeg, është afruar me makinën e tij pranë urës, pasi ka ecur rreth 200 metra në këmbë, ka hequr xhaketën, ka lidhur duart me litar dhe më pas është hedhur në ujë.


Kalimtarë të rastit kanë lajmëruar menjëherë policinë, ndërsa persona të tjerë, që ndodheshin aty pranë duke peshkuar, janë futur në ujë për t’i dhënë ndihmën e parë, por viktima ndërroi jetë brenda pak minutash. Policia po heton për zbardhjen e shkaqeve që e çuan 40-vjeçarin drejt vetëflijimit.


4 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)