Tre persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “THE WAVE”. Policia e Shkodrës, pas një hetimi të mirëfilltë policor 2 mujor, ka bërë të mundur të arrestojë në flagrancë shtetasit:
Lodovik Vonaj, 33 vjeç, banues në Reç, Shkodër, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
Lekë Vonaj, 36 vjeç, banues në Reç, Shkodër. I dyshuar se ka kryer veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
Hysni Skënderaj, 58 vjeç, lindur dhe banues në Qafë-Gradë, Malësi e Madhe, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Shtetasit e lartpërmendur u kapën në vendin e quajtur fshati Reç, konkretisht në parkimin e një lokali, ku në bagazhin e automjetit tip Lancia me targë AA 504 CI, në pronësi të Ludovikut, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 kg lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa.
Gjithashtu gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e shtetasit Hysni Skënderaj u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu çifte, të cilën e mbante pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.
19 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)