Policia: 14 pronat e paluajtshme, me vlerë rreth 700 mijë euro. Pronari ishte arrestuar për trafik droge në Gjermani


Policia e Shkodrës ka sekuestruar pronat e një trafikanti droge, me vlerë rreth 700 mijë euro. Bëhet fjalë për sekuestron e 14 pronave të paluajtshme, kryesisht apartamente, të cilat ishin në pronësi të Altin Ndërlitës, i arrestuar në Gjermani 3 vjet më parë për akuzën e trafikut të drogës.


Dyshohet se Ndërlita dhe familjarët e tij i kanë blerë pronat me paratë e përfituara nga trafiku i lëndëve narkotike.


Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Shtetit deklaruan sot se: “Drejtoria  Policisë së Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, si dhe me Njësinë e Përbashkët Hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në datat 29 dhe 30 maj 2012, u vendos sekuestroja preventive e pasurive të paluajtshme me vlerë rreth 700.000 euro të shtetasit Altin Ndërlita dhe familjarëve të tij. Më konkretisht janë 14 pasurive të paluajtshme, nga të cilat 13 apartamente banimi dhe një garazh me sipërfaqe 900 m2, pronë e shtetasve Altin Ndërlita dhe familjarëve të tij, Pashke Podgorica (nëna) dhe Roza Serreqi (tezja). Në total vlera e aseteve të sekuestruara është rreth 700 mijë euro”.


Hetimi ka nisur në kuadër të një procedimi penal të vitit 2011 regjistruar në ngarkim të Ndërlitës për veprën penale “të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.


“Ky shtetas ishte arrestuar në Gjermani për veprën penale të shkeljes së ligjit mbi lëndët narkotike, në vitin 2009. Gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se këto pasuri dyshohet se janë blerë me të ardhura me origjinë kriminale të trafikut të narkotikëve, ku i përfshirë ishte shtetasi Altin Ndërlita. Pasuritë e blera ishin regjistruar në emër të familjarëve të tij. Një pjesë e parave janë qarkulluar jashtë sistemit bankar duke u deklaruar si të ardhura nga emigracioni dhe familjarët janë munduar t’i justifikojnë si para të ligjshme dhe t’i investojnë në apartamente”, sqaron Policia e Shtetit, ndërkohë që vijojnë hetimet për identifikimin e pasurive të tjera të këtij shtetasi dhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë procedim.


30 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)