Katër tregtarë të duhanit janë arrestuar pasi u përfshinë në përplasjen fizike me punonjësit e anti-kontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Shkodër gjatë operacionit të djeshëm
Përmes një deklarate për shtyp policia informon se punonjësit e anti-kontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Shkodër po zbatonin plan operacionin në mbështetje dhe nga shërbimet e Sektorit të Krimit Ekonomik e Financiar në D.V.P-Shkodër, me qëllim goditjen e kontrabandës me mallra që paguhet akcizë. Përplasja ndodhi dje në tregun e ngritur në vendin e quajtur “RUS”, Shkodër.
Pas hetimeve të kryera u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 4 shtetasve Arjan Halili, 30 vjeç; Marjan Palalej, 35 vjeç; Denis Zefi, 24 vjeç; Astrit Muçaj, 39 vjeç, banues në Shkodër
Policia informon se gjatë kontrollit të ushtruar, tregtarët kanë bërë rezistencë dhe për shkak të detyrës kanë kundërshtuar me dhunë e goditur me sende të forta punonjësit e anti-kontrabandës dhe të policisë, të cilët po kryenin detyrën për konfiskimin e një sasie duhani të grirë, pa dokumentacionin përkatës. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.
12 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)