Një shtëpi bari, zbuluar të dielën e 2 nëntorit në Malësinë e Madhe në Shkodër, është një nga operacionet e fundit të policisë përgjatë vitit 2025 në betejën e gjatë kundër kultivimit të kanabis sativa.

Shtëpitë e barit, me përhapje gjithnjë e më të madhe, vitet e fundit, ku kanabisi kultivohet nën dritat e neoneve, janë sfida më e madhe e policisë për t’i gjurmuar. Brenda saj u gjetën të paktën 1110 bimë kanabisi, që po rriteshin mes llambash.

Përgjatë këtij viti, shifrat zyrtare deri në ditët e para të nëntorit, dëshmojnë sërish një përhapje të gjerë të fenomenit, ndonëse më i reduktuar. Në total, në 12 qarqe, Policia e Shtetit gjeti 213,856 bimë dhe fidanë kanabis. Krahasuar me vitin 2024, shifrat janë më të ulëta, me 137,705 rrënjë e fidanë më pak.

Prej disa vitesh qarku i Shkodrës konfirmohet në krye të listës, me mbi 87% të rasteve të zbuluar në këtë territor dhe një total prej 186,460 bimësh dhe fidanësh të asgjësuar. I dyti në radhë është Fieri me 9,305 rrënjë kanabis, ndjekur nga Lezha, Tirana, Durrësi, Dibra dhe Vlora. I fundit në renditje, me numër shumë të ulët rrënjësh kanabisi të asgjësuara është qarku i Korçës, me vetëm 4 bimë kanabis të zbuluara.

QARKU     TOTALI BIMË & FIDANË

  • Shkodër  186,460 bimë & fidanë
  • Fier   9,305 bimë & fidanë
  • Lezhë   8,123 bimë & fidanë
  • Tiranë    3,088 bimë & fidanë
  • Durrës  1,931 bimë & fidanë
  • Dibër   1,800 bimë & fidanë
  • Vlorë    1,279 bimë & fidanë
  • Gjirokastër 736 bimë & fidanë
  • Kukës   642 bimë & fidanë
  • Elbasan  297 bimë & fidanë
  • Berat  191 bimë & fidanë
  • Korçë  4 bimë & fidanë